Ambasadori i Britanisë së Madhe vizitoi Mitrovicën

 

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka pritur në një takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, të cilin e ka njoftuar me gjendjen e përgjithshme aktuale, politike e të sigurisë në komunë.
Pasi e falënderoi për vizitën dhe interesimin e tij për Mitrovicën, kryetari Bahtiri i tha ambasadorit O’Connell se qytetarët e Mitrovicës ju janë mirënjohës qeverisë dhe qytetarëve të Britanisë së Madhe për ndihmën dhe mbështetjen që ata kanë dhënë vazhdimisht për Kosovën, e sidomos për stabilizimin e gjendjes së përgjithshme në Mitrovicë.
Kryetari Bahtiri fillimisht i tha ambasadorit O’Connell, se Mitrovica ka ende probleme të shumta të sigurisë, zhvillimit ekonomik, papunësisë, varfërisë etj, por që po bënë përpjekje që me punë dhe angazhime konkrete t’i tejkaloj këto.
Ai tha se tani në Mitrovicë ka një klimë më të volitshme për investime të huaja, pasi që janë shënuar rezultate të theksuara kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit, duke përmend konkretisht interesimin e kompanive të mëdha të huaja që janë të interesuara për të investuar në komunë.
Kështu, kryetari Bahtiri, përmendi kompaninë amerikano-suedeze “Green 3Power”, që pritet të investoj rreth 95 milionë dollarë në përpunimin e mbeturinave, pastaj atë për prodhimin e kërpudhave, “Greenpeace mushroom farm”, nga Japonia, me investim prej mbi 100 milionë euro, si dhe interesimin e disa kompanive nga Turqia dhe Greqia.
“Edhe sa i përket uljes së tensioneve dhe komunikimit me qytetarë dhe përfaqësues të pushtetit lokal të komunës në veri, ka kthesa pozitive. Unë kam kontakte të rregullta me kryetarin e atjeshëm Rakiq dhe bisedojmë për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta të qytetarëve. Tani jemi duke biseduar edhe për kthimin e shqiptarëve në pronat e tyre në veri, por unë po i ftoj edhe serbët që të kthen në jug. Jemi optimist, pasi që kemi filluar edhe bisedimet e drejtpërdrejta të serbëve dhe shqiptarëve, me praninë e ne kryetarëve, lidhur me këtë proces”, ka thënë ndër të tjera kryetari Bahtiri.
Ambasadori Ruairi O’Connell, tha se ka qenë disa herë në Mitrovicë dhe se është i gatshëm që të mbështesë zhvillimet pozitive këtu dhe që të ndihmoj në emër të Qeverisë së Britanisë së Madhe.
“Interesi ynë është që të kemi një Mitrovicë stabile, pa probleme ndëretnike, ekonomikisht të zhvilluar dhe prosperuese. E di se këtu ka mjaftë sfida, por ato me punë të ndershme dhe serioze mund të tejkalohen. Në Mitrovicë, ashtu sikur edhe në Kosovë, duhet ketë sundim të ligjit, luftë të pa kompromis kundër korrupsionit, të ketë zhvillim ekonomik dhe zbutje të papunësisë e të varfërisë. Këto janë parakushte për investime të huaja dhe për ofrimin e bashkëpunimin e njerëzve”, tha ndër të tjera ambasadori O’Connell.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT