Ambasadori Bosch: Refuzimi i Gjykatës Speciale, keq për Kosovën

    Ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch ka deklaruar se tanimë është vendosur që Kosova duhet ta ketë një Gjykatë Speciale, por tash më mirë është që ajo mos të refuzohet pasi do të formohej prej OKB-së, ku janë edhe disa vende që nuk janë mike të Kosovës.
    Ai po ashtu ka thënë se ende nuk dihet nëse gjykata do ta ketë selinë në Holandë, pasi që për këtë fillimisht duhet të merret leja dhe pajtimi i Parlamentit holandez.
    Këto deklarata Bosch i ka bërë në një takim me studentët e Shkencave Politike të Fakultetit Filozofik, të Universitetit të Prishtinës.
    “Para se gjithash me aq sa unë di, Gjykata Speciale do të vijë në Holandë nëse parlamenti ynë pajtohet me këtë. Derisa parlamenti ynë nuk di asgjë për këtë, pasi që ata nuk janë informuar ende. Ata natyrisht kanë lexuar nëpër gazeta, por zyrtarisht nuk janë informuar pasi që ne jemi duke pritur që së pari ky proces të përfundoj, pasi që ju e dini që parlamenti juaj nuk është pajtuar dhe nuk e ka diskutuar këtë çështje. Kështu që parlamenti ynë nuk mund të merret me diçka që ende nuk ekziston”, ka thënë Bosch.
    Ambasadori Bosch para studentëve ka thënë se Kosova ka nevojë për një Gjykatë Speciale, dhe se refuzimi i saj që po bëhet nga ana e opozitës nuk është i mirë, pasi që kjo do të thoshte se çështjet e përmendura për t’u trajtuar nga kjo gjykatë do të kalonin në një gjykatë që do të themelohej nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe aty ka shtete që nuk janë aq miqësore me Kosovën.
    “Natyrisht që ju duhet Gjykata Speciale, sepse pak a shumë është vendosur se duhet ta keni atë, sepse po që se do ta refuzonit, do të ishte shumë keq për vendin tuaj, marrë parasysh se Gjykata do të themelohej nga OKB pastaj. Por, tani të paktën do të keni një gjykatë e cila s’do të jetë një gjykatë e OKB-së. Vendet që nuk janë mike me vendin tuaj, kanë shumë ndikim, prandaj dhe ka ardhur kjo ide për ta themeluar gjykatën de fakto, mbase jo de fakto por ligjërisht nën EULEX-in”, ka thënë Bosch.
    Ndërsa, i pyetur për rikthimin e Listës Serbe në institucionet e vendit, Bosch ka thënë që nuk varet nga dëshira dhe mendimi i tij rikthimi i kësaj liste, duke shtuar se sipas kushtetutës është e përcaktuar që të ketë në parlament,qeveri dhe institucione të tjera edhe prezencë të komunitetit serb.
    Sipas ambasadorit holandez, dy çështjet kryesore që duhet të fokusohet qeveria dhe institucionet vendore kanë të bëjnë me krijimin e vendeve të punës, si dhe me sundim të ligjit që nënkupton luftimin e korrupsionit.
    Bosch para studentëve ka folur sërish për valën e fundit të migrimit ilegal nëpër vendet e BE-së, duke thënë se ky proces do të dëmtoj procesin e liberalizimit të vizave, si dhe ka përsëritur faktin se BE-në nuk jep azil për vendet si Kosova, i cili tashmë është i sigurt, transmeton KP.
    “Para se gjithash, siç e dini në parim, ju nuk do të fitoni azil, natyrisht në disa raste që bëjnë shumë përjashtim, mundeni, por normalisht jo. Mendoj që gjasat janë vetëm 1% mund të jepet azil, që d.m.th duhet të gënjeni shumë dhe të thoni se sa rrezik është të kthehesh në Kosovë, por njerëzit që ju marrin në intervistë do ta dini kur gënjeni, prandaj dhe mundësitë për të qëndruar janë pothuajse zero. Çfarë ju latë të kuptohet është negative për liberalizim të vizave, sepse partitë e djathta dhe të majta evropiane do ta përdorim këtë shumë dhe do të thotë ‘e shihni, shihni, nëse ju japin liberalizim të vizave, të gjithë do të vinë dhe nuk do të kthehen kurrë’ , prandaj ata do ta përdorin këtë për të thënë së është një problem i madh, dhe ky vend nuk duhet të këtë liberalizim të vizave, por duhet ta dini se kjo nuk është veç kundër jush, por kundër çdo shteti që kërkon liberalizim të vizave, si p.sh Serbia apo Shqipëria. Dje pashë figura të migrimit në Gjermani dhe Serbia bashkë me Kroacinë prinin me më se shumti njerëz atje”, ka thënë Bosch.