Ambasada britanike prononcohet për propozimet e Vjosa Osmanit dhe Ilir Dedës

Nisma e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Ilir Deda dhe e deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, për nxjerrjen e vendit nga kriza politike e shkaktuar nga mospajtimet në mes pozitës dhe opozitës, është mbështetur nga Britania e Madhe.

Të dy deputetët, Deda dhe Osmani, para mediave shpalosën planin e tyre pesë pikësh për t’i dhënë fund situatës së tensionuar politike, plan ky që po konsiderohet si marrëveshje e cila do t’iu dërgohet liderëve politik të Kosovës – Isa Mustafës, Hashim Thaçit, Visar Ymerit, Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt.

Zëvendësambasadorja e Britanisë së Madhe në Kosovë, Louise Taylor, tha për Klan Kosova, se secila iniciativë paqësore që për qëllim ka normalizimin e funksionimit të institucioneve e ka mbështetjen e shtetit që ajo përfaqëson.

“Siç e kemi thënë edhe më parë, është në dorë të popullit të Kosovës që të vendosin për të ardhmen e tyre politike. Ne e kemi potencuar disa herë se kjo duhet të bëhet me forma demokratike të të shprehurit, e jo në mënyra të dhunshme”, u shpreh Taylor.

“Të gjitha përpjekjet paqësore për të gjetur një zgjidhje për krizën, janë të mirëseardhura, sidomos kur jemi para faktit se Kosova nuk ka kohë për të humbur”, shtoi ajo.

Plani pesë pikësh i Dedës e Osmanit që kërkon hetim parlamentar për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi nga një komision të udhëhequr nga opozita si dhe zgjidhje të qëndrueshme institucionale për Asociacionin e Komunave Serbe, u shpalos sot në një konferencë për media brenda ambienteve të Kuvendit të Kosovës, e të dy deputetët thanë se e kanë përkrahjen e kolegëve të tyre.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT