Votimi i disa propozimeve në mbledhjen e së hënës së Komisionit për Legjislacion ka ngjallur debat mes kryetares së këtij komision Albulena Haxhiu dhe anëtares Melihate Tërmkolli nga LDK-ja.
Kjo për shkakun se kryetarja Haxhiu ia ka mohuar të drejtën e votimit deputetes Tërmkolli për Planine Komisionit për Monitorimin e Strategjisë kundër Korrupsionit 2013- 2017 me arsyetimin se nuk e lejon Rregullorja e Kuvendit që ajo të votojë ngaqë tashmë është pjesë e LDK-së.
Tërmkolli është anëtare e këtij komisioni si pjesë e Grupit Parlamentar të AAK-së, por disa javë më parë ajo ka ndryshuar partinë dhe grupin parlamentar duke kaluar në LDK.
“Nuk e di a jeni anëtare e LDK-së apo e AAK-së. Ju jeni këtu por pa të drejtë vote sepse kështu thotë Rregullorja e Kuvendit”, tha Haxhiu.
Por e menjëhershme ishte përgjigje e anëtares Melihate Tërmkolli e cila vazhdimisht e etiketonte Haxhiun me termin “oj çikë”.
“Unë jam deputete e barabartë. Deri në momentin kur të bëhet një anëtar i AAK-së unë jam këtu me të drejtë vote”, tha Tërmkolli.
E kryetarja e komisionit Albulena Haxhiu u revoltua kur deputetja Tërmkolli e thërriste me termin “oj çikë” duke ia tërhequr kështu vërejtjen.
“Znj. Tërmkolli duhet të keni kujdes se si të shpreheni në mbledhjen e komisionit, sepse disa herë po përsëriten të njëjtat gjëra”, tha Haxhiu.
E debati u nxeh më shumë mes Haxhiut dhe Tërmkollit kur po votohej për Shqyrtimin e Raportit të Komisionit Funksional për Projektligjin për Ndalimin e Bashkimit të Konfliktit Armatosura jashtë territorit të vendit.
“Votohet për t’u dërguar në Kuvend me 6 vota për, 1 kundër nga Albulena Haxhiu dhe asnjë abstenim”, tha Haxhiu duke mos llogaritur votën e deputetes Tërmkolli.
“Të lutem Zonja Kryetare ti po kërkon korrektësi, seriozitet dhe jam shumë dakord. Të lutem për shumë seriozitet me të njëjtën mënyrë. Nuk janë 6 vota por janë 7 vota, më fal në momentin kur bëhet në seancë anëtari i AAK-së, unë më nuk jam anëtare e këtij komisioni. As mua nuk po më vjen mirë që jam në këtë pozicion. Sot i luta të AAK-së që sa më shpejt ta kryejnë këtë proces. Është punë rendi institucional dhe jo ndërgjegje andaj respektoje”, tha Tërmkolli duke iu përgjigjur mohimit të votës së saj.
Por kategorike u shpreh edhe kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu e cila tha se LDK-ja nuk mund t’i ketë 4 anëtarë me të drejtë vote në komision sepse nuk ia lejon Rregullorja e Kuvendit.
“Edhe njëherë po e përsëris, komisioni për Legjislacion i ka gjithsej 11 anëtarë, 3 nga PDK-ja, 3 nga LDK-ja dhe një nga subjektet tjera. LDK i ka tre anëtarë dhe nuk i lejohet t’i ketë 4 anëtarë në Komision me të drejtë vote”, pohoi Haxhiu.
Por debati mes tyre u mbyll kur deputetja Tërmkolli kërkoi që në procesverbal të mbledhjes së komisionit të futet edhe vota e saj. Por për këtë çështje kryetarja Haxhiu kërkoi të ketë një interpretim nga sekretaria e Kuvendit.
“Unë dua të regjistrohet në procesverbal që janë 7 vota ‘për’ dhe nuk është kontestues hiç. Kaq dhe pastaj zgjidheni ju si të doni”, deklaroi Tërmkolli.
Gjatë kësaj mbledhje u diskutua edhe për propozimin e Lidhjes së Juristëve të Kosovës që Mazllum Baraliu të jetë anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës . Po ashtu u diskutua edhe për kërkesën që Komisioni për Legjislacion do t’ia drejtojë Agjencisë Kundër Korrupsionit për të kërkuar nga përfaqësuesit e kësaj agjencie që t’i dërgojnë raportet financiare në komision deri më datën 31 mars.
Kjo kërkesë vjen pasi që përfaqësuesit e AKK-së janë shprehur kundër dërgimit të raporteve financiare në komision para datës 31 mars./Kallxo.com/