Alarmohet Vushtrria, amoniaku i Llamkosit fillon të dalë jashtë kontrollit

Depozitat e amoniakut që gjenden në fabrikën e falimentuar Llamkos në Vushtrri, kanë filluar të dalin prej kontrollit, me ç’rast janë alarmuar zjarrfikësit, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë filluar të bëjnë ftohjen e rezervuarëve të amoanikut.

Veriu.info ka kontaktuar me drejtorin e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në komunën e Vushtrrisë, Nezir Klinaku, i cili ka treguar se zyrtarët e kësaj drejtorie gjenden në vendin e ngjarjes në fabrikën Llamkos. “Pas njoftimit që kemi marrë nga punëtorët e sigurimit të fabrikës, se temperatura në rezervuarët e amoniakut është rritur, atëherë ne kemi dërguar njësinë e zjarrfikësve në vend të ngjarjes, të cilët për momentin janë duke e për ftohjen mekanike të rezervuarve, pra me ujë”, thotë Klinaku, duke treguar se për këtë situatë e kanë njoftuar edhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave.

Drejtori Klinaku bënë të ditur se Llamkosi në këtë gjendje ka ardhur, pasi që KEDS-i muaj më parë ia kanë shkëputur energjinë elektrike, e cila edhe ka bërë ftohjen e këtyre depozitave të amoniakut.

Ndërkaq, zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi, ka treguar se me këtë fabrikë nuk menaxhon më kjo agjenci, pasi që me vendimin e datës 23.01.2015 Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur falimentimin e saj dhe ka caktuar një administrator falimentues, i cili kujdeset për këtë fabrikë.

Veriu.info ka tentuar të kontaktoj me administratorin e caktuar nga gjykata të fabrikës Llamkos, Virtyt Ibrahimagën, mirëpo në gjë e tillë ka qenë e pamundur, pasi që në numrat zyrtar të tij nuk përgjigjej askush.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, e ka treguar për Veriu.info se policia ka marrë një informatë nga sigurimi i fabrikës për ngritjen e temperaturave jashtë normave të lejueshme në rezervuarët e amoanikut në Llamkos, por thotë që policia vetëm ka dal në vendin e ngjarjen e po e përcjellë reagimin e organeve kompetente, Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Vushtrrisë dhe Njësisë së Zjarrëfikësve, pasi që thotë se nuk kanë kompetencë për ndërhyrje në këtë rast.

Veriu.info kishte raportuar në muajin shtator se në rezervuarët e Llamkosit gjenden rreth 7 ton amoniak, të cilët në mungesë të rrymës paraqesin rrezik për banorët rreth saj.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT