Ditën e sotme, Gjykata e Vlorës ka caktuar masën “arrest me burg” për Igli Madanin, 22-vjeçarin që shkaktoi aksidentin në aksin Levan-Vlorë, ku u shua familja Gushi.

Drejtuesi i automjetit tip “Audi” që shkaktoi aksidentin tragjik nuk ishte i pranishëm në seanca, por është paraqitur avokati i tij Remzi Mehmetaj me prokurë.
Kujtojmë se në aksidentin e 25 qershorit humbën jetën Eduart Gushi 44 vjeç, Silvana Gushi 33 vjeç, Anastasia Gushi 14 vjeçe dhe Eva Gushi, 9 vjeçe. Kryefamiljari që ishte në timon po udhëtonte me një shpejtësi brenda normave të lejuara 90-100 km/h.

Kurse, të plagosur mbetën, drejtuesi i Audit Igli Madani dhe dy pasagjerë të tij. Igli Madani raportohet se ka qenë me një shpejtësi 200 km/h në momentin e aksidentit dhe e ka goditur nga pas makinën tip “Toyota” që udhëtonte familja Gushi.

Sipas ekspertizës në vendin e ngjarjes, mjeti tip “Audi” ka bërë disa herë frenime të forta në rrugë duke lënë edhe gjurmë të gomave në asfalt dhe më pas ka përplasur mjetin tip “Toyota”.

Për pasojë automjeti tip “Toyota” ka humbur kontrollin dhe nga forca e madhe e përplasjes ka përfunduar disa metra jashtë rrugës.