Dega e Aleancës Kosovare e Re në Mitrovicë dënon ashpër sulmin ndaj kryetarit të komunës, Agim Bahtirit, sulm i cili, sipas kësaj partie, “vije në vazhdën e sulmeve të orkestruara të degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë”.
“AKR shpreh zhgënjimin e thellë, se si një parti opozitare si PDK-ja, e cila ka qeverisur me Mitrovicën për dy mandate, bie në nivel të tillë të sulmeve, ku përveç sulmeve politike, tash nxit edhe sulme fizike”, thuhet në reagimin e AKR-së.
“PDK-ja ka publikuar disa fotografi të sulmuesit Adem Dibrani, ku shihet ai në disa fotografi në aktivitete të AKR-së. Mirëpo, ne njoftojmë opinionin se ky person ka qendruar shumë shkurt në aktivitete zgjedhore të AKR-së, ndërsa nga gjysma e vitit të kaluar nuk ka marrë pjesë në asnjë aktivitet të AKR-së, pasi që familja e tij është rikthyer në PDK”, thuhet më tej në këtë reagim, raporton Koha.net.
“Se sulmuesi Adem Dibrani dhe familja e tij janë pjesë e PDK-së, mund të shihet edhe në foto-dokumentin e nxjerrë nga faqja 348 e librit të degës së PDK-së në Mitrovicës: “Pasqyra e Strukturës së Degës dhe Analiza e Zgjedhjeve 2007-2014” të publikuar në janar të këtij viti, ku shihet emri i Jetullah Dibranit që është babai i sulmuesit”, theksohet më tej.
“Për fund, në çdo parti mund gravitojnë eksponentë të caktuar në fushata zgjedhore, por se sulmuesi në momentin e sulmit bashkë me familjen e tij janë pjesë e PDK-së, e dëshmon ky dokument i publikuar nga vet PDK-ja”, vijon reagimi.
Në fund, Dega e AKR-së iu bënë thirrje organeve të drejtësisë që sa me shpejtë ta ndriçojnë rastin dhe fajtorët ta marrin dëniminin e merituar.
- Advertisement -