AKR e shqetësuar me heshtjen rreth incidentit ndaj Bahtirit

Aleanca Kosova e Re mbetet e shqetësuar për heshtjen e incidentit të djeshëm i ndodhur në Komunën e Mitrovicës, me ç’rast është sulmuar fizikisht kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri nga një anëtar i partisë në pushtet, pra PDK-së, por që ende nuk dihen motivet e sulmit.
Aleanca Kosova e Re këtë incident e konsideron të motivuar politikisht përderisa as Qeveria e as PDK-ja nuk kanë reaguar dhe nuk e kanë dënuar sulmin e djeshëm dhe kjo heshtje e tyre për AKR jep të mendojë se në Kosovë qytetarët klasifikohen sipas ngjyrimit apo përkatësisë partiake e jo si qytetar i Kosovës.
“Ne jemi të bindur që sikur ky incident të ndodhte në njërën nga Komunat që e kanë edhe pushtetin qendror, do të kishte reagime të shumta nga të gjitha instancat e larta shtetërore. Gjithashtu po shihet qartë se e njëjta Qeveri, ka ndikim të fuqishëm edhe në mediat tona publike të cilat e kane interpretuar lajmin me pretendime te ndryshme apo edhe nuk kanë reaguar fare. Ky incident i djeshëm është edhe një dëshmi tjetër e situatës kaotike dhe të papërgjegjshme të krijuar së fundmi në Kosovë. Nga ana tjetër Aleanca Kosova e Re i falënderon të gjitha ata që janë interesuar dhe e kanë interpretuar këtë rast në mënyrë korrekte”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/
- Advertisement -

MË TË FUNDIT