Akademia e Kosovës, promovon 32 vepra shkencore

    Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), Hivzi Islami, i ka hedhur poshtë si të paqëndrueshme kritikat dhe akuzat që drejtohen në adresë të institucionit më të lartë të shkencës e artit në Kosovë.
    Në fjalën e tij të rastit, në promovimin e 32 botimeve të fundit të akademisë, akademik Islami ka theksuar se ky institucion po e kryen misionin e tij në pajtim me ligjin.
    “Akademia jonë, pa zhurmëbërësi dhe britma po i kryen detyrat e veta, po e realizon misionin e saj, në përputhje me destinimin për të cilin është themeluar”, ka theksuar Islami.
    Ai ka theksuar gjithashtu se ASHAK nuk do ta ndjekë kurrë modelin e Akademisë Serbe të Shekcave dhe Arteve, e cila i ka vënë njollë vetes duke u vënë në shërbim të politikës së regjim,it hegjemonist të Millosheviqit.
    “Një njollë të tillë turpi Akademia dhe populli ynë kurrë nuk do të pranojnë ta bartin”, ka theksuar kryetari i ASHAK, Hivzi Islami.
    Në vijim po e japim të plotë fjalën e akademik Islamit:
    “Ku është Akademia? Çka punon ajo? Pse nuk dëgjohet? Pse ka rënë në gjumë? Pse nuk harton platforma për bashkim kombëtar? Pse nuk e lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar? Pse nuk e ndal migrimin ilegal? Pse nuk i disiplinon partitë politike dhe udhëheqjen e Kosovës? Pse nuk bën si Akademia Serbe etj. etj.?
    Janë këto vetëm disa nga klithmat që në vijimësi dëgjohen nga individë dhe qarqe të ndryshme të shoqërisë sonë, më tepër nga instancat e caktuara mediatike dhe analistë të varur. Në këto klithma, pa dyshim, mbisundojnë nihilizmi dhe dashakeqësia ndaj Akademisë!
    Akademia është institucion tërësisht jopolitik, por natyrisht jo edhe indiferent ndaj zhvillimeve politike dhe, me gjerë, ndaj rrjedhave shoqërore. Nuk është themelatë e sensacioneve dhe e involvimit në ujërat e politikës së ditës, sikundër as kujdestare për gjithçka dhe fajtore për çdo gjë, veçanërisht jo për ndodhitë e ditës: shpërthen një problem që lidhet me jetën e përditshme – ku është Akademia? Bëhen abuzime të ndryshme në shoqëri – pse nuk prononcohet Akademia?! Bën një gabim ose një gafë një udhëheqës – pse nuk deklarohet Akademia?
    ASHAK kurrë nuk do ta ndjekë modelin e Akademisë Serbe: Memorandumi famëkeq i hartuar prej saj ishte platforma e regjimit hegjemonist të Millosheviqit për shkatërrimin me dhunë të ish-shtetit, duke shkaktuar tragjedi masive njerëzore dhe materiale. Me këtë dokument, SANU-s, do t’i mbetej një njollë e zezë në historinë e saj, e paparë në akademizmin botëror, por edhe shoqërisë serbe dhe popullit serb, që e mbështetën këtë dokument. Një njollë të tillë turpi Akademia dhe populli ynë kurrë nuk do të pranojnë ta bartin.
    Akademia jonë, pa zhurmëbërësi dhe britma po i kryen detyrat e veta, po e realizon misionin e saj, në përputhje me destinimin për të cilin është themeluar: po realizon projekte shkencore dhe artistike, po boton vepra nga fusha të ndryshme të shkencave dhe të arteve, po organizon tubime të ndryshme shkencore, tryeza, konferenca, sesione, ekspozita, koncerte, konsulta dhe forma të tjera të aktivitetit, të përcaktuara me ligj, statut dhe akte tjera. Në këtë themelatë nxitet, zhvillohet dhe planifikohet puna kërkimore-shkencore dhe artistike, mbrohet dhe avancohet mendimi shkencor, kultivohet e vërteta shkencore. Është institucion këshillues dhe sugjerues për zhvillimin e shkencës e të artit dhe për zhvillimet tjera me interes të përgjithshëm për Kosovën. Nga Kuvendi i kësaj Akademie ka dalë Deklarata mbi çështjet kushtetuese e dt. 14 qershor 1990 që menjëherë u përligj me dokumente të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës: Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, Kushtetuta e Kaçanikut e 7 Shtator 1990 dhe Rezoluta për Pavarësinë dhe Sovranitetin e Kosovës mbi bazën e referendumit për Pavarësinë e Kosovës të vitit 1991.
    Akademia, brenda mundësive të veta financiare dhe kadrovike, po zhvillon një bashkëpunim të frytshëm shkencor dhe artistik ndërkombëtar, duke afirmuar edhe Kosovën dhe kulturën shqiptare në rajon, në Evropë dhe jashtë saj. ASHAK, në saje të punës së saj dhe të legjislacionit të vlerësuar nga Federata e Akademive Nacionale të Evropës (ALLEA) dhe institucionet akademike relevante ndërkombëtare, qysh para më shumë se një dekade ka hyrë në shumë asociacione akademike dhe shkencore evropiane dhe ndërkombëtare ende pa qenë Kosova shtet i pavarur. Ishte ky një ndër shpërthimet e para për inkuadrimin e Kosovës në asociacionet dhe institucionet ndërkombëtare. Të gjithë jemi dëshmitarë se me sa vështirësi po ecën puna e integrimit të Kosovës në instanca ndërkombëtare – nga OKB-ja e BE-ja deri te institucionet kulturore dhe sportive.
    Veprimtaria kryesore e Akademisë sonë janë projektet dhe botimet nga fusha të ndryshme të shkencave dhe të arteve, të cilat nuk bëhen lehtë dhe shpejt. Në këtë shtëpi botimet dhe projektet përgatiten një kohë të gjatë, me përgjegjësi të lartë profesionale dhe shkencore. Nga ideja e deri te realizimi i tyre ndodhë të kalojnë disa vjet. Tryezat shkencore, konferencat, simpoziumet, aktivitetet artistike etj. përgatiten po ashtu gjatë dhe në të shumtën e rasteve rezultojnë me publikime përkatëse.
    Sot po i përurojmë 32 botime të tilla, të realizuara brenda harkut kohor prej rreth 20 muajve. Më produktiv në këtë drejtim është veçanërisht viti 2014, kur arritëm t’i nxjerrim 26 botime nga shkencat albanologjike, shkencat shoqërore, kulturo-historike, shkencat e natyrës, gjeoshkencat, shkencat e mjedisit dhe publikimet nga sfera e arteve. Është pa dyshim një rekord në veprimtarinë tonë. Të gjitha botimet dhe e gjithë veprimtaria e Akademisë është financuar nga buxheti i Kosovës. Me një ekonomizim dhe racionalizim shumë të madh të mjeteve kemi arritur ta realizojmë këtë objektiv.
    Para se t’ua jap fjalën sekretarëve të seksioneve që shkurtimisht t’i prezantojnë botimet e 4 seksioneve, me dy-tri fjalë po e prezantojë Monografinë Kosova në gjuhën angleze si botim të Akademisë. Akademia, siç e dini tanimë, që në vitin 2008 i hyri punës për hartimin e Monografisë Kosova, të cilën e finalizoi në gjysmën e vitit 2011; është një projekt i madh (630 faqe), shumë i rëndësishëm për shkencën dhe kulturën tonë, për shoqërinë kosovare dhe të gjitha pjesët e opinionit deri te lexuesi mesatar dhe, madje edhe ai i rëndomtë – një publikim midis botimit shkencor dhe botimit enciklopedik. Kjo vepër është një punë intensive kolektive, me shkrime autoriale (68 autorë). Kjo monografi i parapriu Fjalorit Enciklopedik të Kosovës – FEK me rreth 6.000 zëra, në të cilin po punohet intensivisht – Ky Fjalor nesër do të shërbejë si bazë për hartimin e Enciklopedisë së Kosovës – një projekt i madh dhe afatgjatë.
    Pas një kohe doli edhe botimi në anglisht – një version i shkurtuar, i kondensuar (500 faqe). Shumë prej jush këtu jeni edhe autorë.
    I është dedikuar të huajve, e kanë marrë edhe institucionet tona, Presidenca, ministritë përkatëse, e kanë shpërndarë gjithandej në kontaktet me përfaqësuesit e vendeve të huaja. E kemi distribuuar edhe ne. Së shpejti, do të kemi nevojë ta ribotojmë.