Agron Mustafa: Telekomi rrezikon të falimentojë

Drejtori Menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, ka komentuar vendimin e Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, duke thënë se rrezikon të falimentoj.

Tribunali Ndërkombëtar i Arbitrazhit ka marr vendim që Telekomi i Kosovës t’i paguaj 26.1 milionë euro gjobë (30 milionë duke përfshirë interesin), kompanisë Devolli e cila është pronare e Z-Mobile. Poashtu, obligohet që t’ia jap 100 mijë numra shtesë, si dhe shërbimet 3G dhe 4G, shkruan lajmi.net

Drejtori i Telekomit, Agron Mustafa, është shprehur i befasuar nga ky vendim dhe e ka konsideruar si shqetësues për të dhe punëtorët e kompanisë. Ai shton se ky vendim e çon Telekomin drejt falimentimit.

“Ky vendim befasues dhe shqetësues për gjithë atë që quhet Telekom i Kosovës, është një prej vendimeve më të rrezikshme që është marrë nga ndonjë gjykatë në dëm të Telekomit të Kosovës dhe rrezikon seriozisht të ardhmen e korporatës,- deri në falimentim”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka bërë me dije detajet që kanë çuar deri te ky vendim i Arbitrazhit, ndërkaq ka kërkuar ndihmë nga Qeveria pasi siç thotë ai, rreth 20 mijë familje jetojnë me rrogat e punëtorëve të Postës.

Deklarata e plotë e Mustafës:

Qëndrim zyrtar i Drejtorit Menaxhues të Telekomit të Kosovës, rreth vendimit të Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit

Telekomi i Kosovës, (unë si Drejtor Menaxhues i Telekomit të Kosovës, Bordi i Drejtorëve, Menaxhmenti dhe të gjitha punëtorët e Telekomit të Kosovës, me shqetësim të thellë morëm lajmin,- vendimin e  Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, me seli në Londër dhe mbajtur në Vjenë të Austrisë.

Vendimi i Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, ka marrë vendim negativ për Telekomin e Kosovës, në të cilin vendim thuhet se Telekomi i Kosovës është i obliguar të paguajë 26.1 milionë euro gjobë, duke përjashtuar interesin e kalkuluar si dhe dhënien e bllokut të numeracionit prej 100 mijë numrave shtesë, sipas kërkesës së Z-mobile dhe vendimit të ARKEP. Gjithashtu vendimi i Tribunalit thekson se Z-Mobile duhet t’i jepen edhe shërbimet e 3G dhe 4G.

Ky vendim befasues dhe shqetësues për gjithë atë që quhet Telekom i Kosovës, është një prej vendimeve më të rrezikshme që është marrë nga ndonjë gjykatë në dëm të Telekomit të Kosovës dhe rrezikon seriozisht të ardhmen e korporatës,- deri në falimentim.

Publiku dhe klientët e Telekomit të Kosovës- Vala, duhet të jenë në dijeni se ky vendim i Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, erdhi pasi kompania Z-mobile, ka ushtruar padi pranë këtij institucioni, me pretendimet se është shkelur kontrata dhe nuk i janë ofruar shërbimet e kërkuara sipas kësaj kontrate.

Janë 4 pika, apo çështje, mbi të cilat u ushtrua padi dhe ne konsiderojmë se publiku dhe klientët e Telekomit të Kosovës duhet t’i dijnë.

Fillimisht të sqarojmë se kontrata mes Telekomit të Kosovës dhe Daradanet apo Z-Mobile, është nënshkruar në janar të vitit 2009, në mes të përfaqësueve të kompanisë dhe drejtorit të atëhershëm të PTK-së, Shyqyri Haxha.

Kjo kontratë, e cila themeloi operatorin virtual Z-Mobile, parashihte që këtij operatorit ti jepeshin 200 mijë numra ndërsa raporti i të hyrave mes dy kompanive do të ndahej 73 përqind për Z-mobile dhe 27 për qind për Telekomin e Kosovës.

Z-Mobile arriti brenda një kohe t’i shesë 200 mijë numra dhe bëri kërkesë për një bllok prej 100 mijë numra të rinj. Kjo kërkesë u refuzua nga drejtori i atëhershëm, Ejup Qerimi dhe Bordi i Drejtorëve.

Kjo arsye dhe disa të tjera të cilat po i përmbledhim në formë të shkurtër, ishin pikat ku u mbështet padia e Z-Mobile.

  1. Vonesat në liferimin e e SIM kartelave nga ana e PTKsë për Zmobile,
  2. Mos alokimi i bllokut numerik shtesë prej 100 mijë numrave që fillon me 045 7XX XXX,
  3. Mos dhënia e shërbimeve 3G dhe 4G, si dhe
  4. Degradimi i shërbimeve.

Problemet me pikën e parë të mësipërme që ka të bëjë me vonesat në liferimin e SIM kartelave nga ana e PTKsë drejt Zmobile, datojnë që në vitin 2010 dhe vien si rezultat i dyshimeve te aktiviteteve jo ligjore, apo siç quhej “SIM to SIM”. Ky aktivitet, i humbiste miliona euro PTK-së së atëhershme.

Tutje, në vitin 2012, Zmobile i drejtohet PTKsë me kërkesën për lëshimin e numrave shtesë, me arsyetimin se 90% e 200mijë numrave të ëparë vetëm se janë utilizuar dhe se kanë nevojë për të tjerë. Kjo kërkesë është refuzuar nga Drejtori i atëhershëm I  PTK-së, Ejup Qerimi.  ARKEP, pati marrë një vendim ku kërkonte nga PTK që blloku numerik 045 7XX XXX ti rezervohet Zmobile, vendim i cili ishte atakuar nga PTK në gjykatën vendore, si vendim i padrejtë.

Gjithashtu, Në vitin 2014 Zmobile i drejtohet PTK-së me kërkesën për dhënien e shërbimeve të 3G dhe 4G. Përkundër disa takimeve të mbajtura në mes palësh, nuk arrihet në ndonjë marëveshje të pranuar për palët dhe ish Drejtori Ejup Qerimi së bashku me Bordin e Drejtorëve, refuzon dhënien e këtyre shërbimeve.

Në maj 2015, Telekomi i Kosovës njoftohet nga Tribunali Ndërkombëtar i Arbitrazhit mbi padinë e dorëzuar nga Dardafon.net në këtë arbitrazh me datën 14.04.2015, sipas pretendimeve të tyre në pikat e cekura më lartë.

Ne si Telekom i Kosovës, edhe pse kemi marrë vendimin e Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, pas njoftimit të Aksionarit, jemi duke u konsultuar me cdo instancë juridike dhe institucionale, për të parë mundësinë e ankimimit dhe refuzimit të këtij vendimi.

Poashtu, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës, që të japë të gjithë asistencën e mundshme në këtë drejtim, pasi ky vendim rrezikon Telekomin e Kosovës, në të cilin punojnë mbi 2.300 punëtorë në mënyrë direkte, ndërsa 20 mijë familje jetojnë nga të hyrat që krijojnë prej aktiviteteve të kompanisë.