Agolli: “Transferimet” e fundit sollën suksese

 

Ansi Agolli ishte pa diskutim një nga futbollistët më të mirë në fushën e lojës, duke bërë diferencën në krahun e majtë. Ai ishte i pakalueshëm në mbrojtje dhe mbi të gjitha shumë i dobishëm me krosimet për sulmin.
Në fakt, e veçanta e lojtarit të Karabakut është se do marrë një premio nga ekipi azerbajxhanas ku aktivizohet, për fitoren ndaj Armenisë. Ansi e konfirmoi vetë në konferencë për shtyp para takimit se i kishin premtuar shpërblim në rast fitoreje të Shqipërisë, për shkak të konfliktit që kanë azerët me Armeninë.
Madje, ai ka marrë një të tillë edhe kur fituan ndaj të njëjtit kundërshtar gjatë një ndeshjeje miqësore. Sa i përket përballjes, 32-vjeçari tha: “Ishte një ndeshje e vështirë. Nuk e filluam takimin ashtu siç deshëm, gjithsesi reaguam shkëlqyeshëm. Morëm një fitore mjaft të rëndësishme, e cila do na shërbejë shumë në të ardhmen. Jam i kënaqur që e kaluam me sukses edhe këtë përballje”. Në deklaratën e tij për “TVSH”-në, Agolli konfirmon gjithashtu se prurjet e kohëve të fundit e kanë rritur cilësinë e skuadrës. “Gjatë dy viteve të fundit ka pasur shumë prurje në Kombëtare dhe kanë rezultuar me të vërtetë cilësore. Po e ndihmojnë mjaft ekipin, duke e bërë akoma më të fortë”, u shpreh ai.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT