Agim Cana: Kush është Redi Jupi e kush është Lorik Cana

Pas deklaratës së Redi Jupit në emisionin “Proçesi Sportiv” se për Canën e Xhakën Shqipëria ka qenë zgjedhje e detyruar pasi nuk kanë patur alternativa të tjera në kohën kur kanë bërë zgjedhjen e tyre, tashmë ka ardhur reagimi i babait të Canës, Agimit.

Ai me fjalën e tij tregon se për të birin e tij ka patur oferta nga Franca e Zvicra, por Loriku se ka marrë kurrë parasysh interesimin e tyre. Më tej ai ka thënë se do ta takojë personalisht Jupin për ato që ka thënë pasi nuk i duken aspak serioze deklaratat e tij raporton “Panorama Sport” për të cilën Agim Canaj është shprehur.

“Jam i befasuar nga ajo që ka thënë Redi Jupi. Unë e njoh atë dhe nuk e kuptoj qëllimin e kësaj deklarate. Më vjen t’i them se është një buzëqumësht, i cili nuk ia ka idenë se çfarë ka ndodhur realisht në atë periudhë, por nuk dua të futem në polemikë me të. Koha është zgjidhja më e mirë dhe përgjigja më e mirë. Rezultatet, arritjet dhe serioziteti i Lorikut flasin qartazi se kush është ai dhe kush është Jupi. E megjithatë, sapo të vij në Tiranë, do ta pijë një kafe me Jupin, qoftë edhe miqësisht, sepse nuk më duket serioze e gjithë kjo që ka deklaruar”.

“Loriku nuk ka patur kurrë as më të voglin dyshim se do të luante për Shqipërinë. Kjo ka qenë ëndrra e tij që fëmijë dhe askush nuk duhet ta diskutojë këtë. Por, nuk është e vërtetë se asokohe s’ka patur oferta të tjera. Përkundrazi, Raymond Domenech, i cili drejtonte përfaqësuesen U-21 franceze të atyre viteve, e ka kërkuar me ngulm Lorikun. Im bir as që e mori fare në konsideratë, edhe pse Domenech më pat thënë personalisht se do ta priste 48 orë Lorikun për të bërë zgjedhjen finale, para se ai të hartonte listën përfundimtare. Por ka pasur interesim gjithashtu edhe nga Zvicra. E, megjithatë, tani është e kotë që të diskutojmë, sepse koha e ka vërtetuar impenjimin dhe atdhedashurinë e Lorikut për Kombëtaren dhe për shqiptarët. Të tjerët mund të flasin shumë, por rezultatet dhe arritjet e tij nuk të lënë të bësh gabime”.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT