Agim Bahtiri dënon arrestimin e Feratit dhe Osmanit

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri e dënon ashpër arrestimin e Hazir Feratit dhe të Betim Osmanit, nga ana e policisë, për shkak se po punonin për të rindërtuar shtëpinë e këtij të parit në lagjen veriore “Kroi i Vitakut”, të cilën gjatë luftës ia kishin shkatërruar deri në themel ekstremistët serbë.
“Është e papranueshme që një qytetar të arrestohet vetëm pse po punonte në rindërtimin e shtëpisë së tij, të cilën dikush ia ka shkatërruar gjatë luftës. Në vend që të arrestohet, Feratit duhet t’i ndihmojmë të gjithë që sa më shpejtë të rindërtoj shtëpinë dhe të kthehet për të jetuar në të, e jo në ndonjë objekt të pa përshtatshëm e me qira. Arrestimi i tij është i pa ligjshëm, sepse askush nuk ka të drejtë të pengoj askënd duke punuar në shtëpinë e tij, aq më tepër kur ai është viktimë e pafajshme e luftës së pakuptimtë”, thotë kryetari Bahtiri.

Kryetari Bahtiri i bën ftesë policisë së Kosovës që të mos e shqetësojë më Hazir Feratin gjatë punëve për rindërtimin e shtëpisë së tij.

Ai po ashtu, kërkon nga drejtuesit e komunës në veri të Mitrovicës që të mos lëshojnë vendime të pa ligjshme, por të angazhohen ashtu sikur i obligon ligji pà «r të mbrojtur dhe ndihmuar qytetarët e saj, duke siguruar madje edhe mjete materiale për rindërtimin e shtëpisë.

Hazir Ferati dhe Betim Osmani janë arrestuar nga Policia e Kosovës në mesditë, kur për gati tri orë është mbajtur në stacionin e policisë në veri, për t’u liruar më pastaj me urdhrin e prokurorit shtetëror të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

“Kur ishim duke i hapur themelet e shtëpisë time, për të filluar rindërtimin e saj, pasi ekstremistët serbë ma dogjën gjatë luftës, ka ardhur një patrullë e policisë dhe më ka urdhëruar që të shkoj me ta deri në stacionin policor, me hatër ose me zor. Bashkë me ta ka qenë edhe një inspektor serb, por askush nuk na tregoi kurrfarë dokumenti, përveç që na thanë se nuk mund të punojmë dhe se duhet të shkojmë me ta”, rrëfen Ferati.

Sipas tij, në stacionin policor, deklaratë ka dhënë vetëm ai, por jo edhe Osmani. “Në ndërkohë policët kanë bisedu ar me telefon me një prokuror, i cili ka kërkuar nga policët të dijë shkaqet e arrestimit dhe me urdhër të kujt është bërë arrestimi. Pasi që policia i tha se nuk ka kurrfarë kërkese të shkruar për arrestim, prokurori ka urdhëruar që ne të lirohemi dhe kështu edhe është vepruar”, tha Ferati.

Hazir Ferati bëri të ditur se punën nuk do ta ndali kurrsesi, dhe se edhe nesër do të shkoj për të punuar në shtëpinë e tij, pa marrë parasysh se çka do të ndodhë. Ai kërkon nga institucionet e vendit që t’i pengojnë policët që duan ta arrestojnë dhe që t’i ndihmohet materialisht për ndërtimin e shtëpisë, pasi që vet nuk ka mundësi.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT