Aeroplani me të cilin po udhëtonte Clinton bën një ulje emergjente

Aeroplani me të cilin po udhëtonte ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, është detyruar të aterrojë në Tanzani, të mërkurën, për të rregulluar motorët.

Një zyrtar i SHBA-ve ka konfirmuar për CNN se aeroplani me të cilin po udhëtonte Clinton është detyruar të aterrojë pasi që ka pasur “probleme teknike”.

“Ka pasur një problem në njërin prej katër motorëve të aeroplanit. Për shkak të protokollit të linjave ajrore, aeroplani ka aterruar dhe shpejt i kanë riparuar motorin”, ka thënë zëdhënësi i Clintonit, Matt McKenna.

Aeroplani ka bërë aterrim të detyrueshëm në orën 9:45 (sipas kohës lokale) dhe është nisur sërish në fluturim në orën 11:30. Pas një ore, Bill Clinton ka arritur në destinacionin për ku ishte nisur, në Dodoma në Tanzani, transmeton lajmi.net.

Ish-presidenti Clinton, së bashku me vajzën e tij, Chelsea, dhe me 20 persona të tjerë, në kuadër të Fondacionit Clinton, ishin duke shkuar në një darkë të donatorëve në Afrikë.

Pas Tanzanisë, Clinton do të vizitojë edhe Keninë, Liberinë dhe Marokun.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT