Admir Molla i kishte kërkuar Kosnettit të mos përzihej në punët e Kosovës edhe gjatë Kurtit I

Admir Molla, mbështetësi i LVV-së i cili nga Amerika mban kontakte të vazhdueshme me Kryeministrin Kurti, që kur po rrëzohej Qeveria e parë e kreut të LVV-së në mars të vitit të kaluar, i kishte treguar diplomatit të dërguar amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, rolin e ambasadorit, ndërsa i kërkonte atij të mos përzihej në punët e brendshme të Kosovës.

Gazeta Express

Admir Molla, bashkëpunëtor i Kryeministrit Albin Kurti, ka kohë që e kritikon rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Express dje raportoi se si Molla ia kishte tërhequr vërejtjen para pak ditësh Ambasadorit të SHBA-së, Phip Kosnett, pasi diplomati amerikan tha së fundmi se Kosova ka detyrim që ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Por që vitin e kaluar, kur Albin Kurti pati ardhur në pushtet për herë të parë, Molla, i cili vetë jeton në SHBA, e kishte kritikuar rolin e Ambasadorit Kosnett.

Kur Qeveria Kurti 1 ishte do të rrëzohej të nesërmen me një mocion në Kuvend, teksti i të cilit theksonte prishjen e raporteve me SHBA-në, Ambasadori Kosnett kishte deklaruar në mars të vitit të kaluar se me kënaqësi priste ta ndiqte seancën ku qe rrëzuar Qeveria e Kurtit.

“I kënaqur të shoh që nesër Kuvendi do të mbajë një seancë për mocion mosbesimi. Siç i thashë Kryeministrit sot, është e rëndësishme që Kuvendi dhe të gjitha institucionet e Kosovës ta respektojnë Kushtetutën”, shkruante Kosnett në Twitter.

Ambasadorit i kishte replikuar Admir Molla, një shqiptar i cili jeton në New York, e me të cilin Kryeministri Kurti bisedon për raportet e Qeverisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai i kishte thënë Ambasadorit Kosnett që të mos përzihej në punët e brendshme të Kosovës, në një pretendim me të cilin besonte se po ia tregonte diplomatit amerikan rolin e ambasadorit.

“Cili është roli i një ambasadori? Vetëm në Kosovë ju njerëz shëtisni si mbretër apo mbretëresha. Kosova është shtet sovran dhe ju nuk duhet të përziheni në punët e tyre të brendshme”, shkruante Molla.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ditë më parë ka thënë se SHBA-ja beson që Kosova ka detyrim themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe se historia s’ka filluar me krijimin e Qeverisë Kurti. Një deklaratë e tillë e Kosnett ka nxitur reagime të shumta, derisa vetë Kurti në kundërpërgjigje, ka insistuar se Kosova s’mund të themelojë Asociacion njëetnik.

Pas kësaj deklarate ka reaguar edhe Admir Molla, i cili është pjesë e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e që nga publikimet në rrjete sociale shihet që ka kontakte dhe afërsi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Kryeministri Kurti më 22 mars të këtij viti ka zhvilluar edhe një takim virtual me Mollën, me të cilin kanë biseduar për rolin që shqiptaro-amerikanët do ta kenë në qeverinë e re dhe për atë se si do të thellohen raportet në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT