AAK, Mustafës: Merru me murin e Mitrovicës, lëre demarkacionin

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i është kundërpërgjigjur kryeministrit të vendit, Isa Mustafa, pas shkrimit të tij të fundit në faqen e tij zyrtare në Facebook, në të cilin ai i ka quajtur gënjeshtarë kundërshtarët e matjes së Kosovës.

Nëpërmjet një letre publike në adresë të kryeministrit, sekretari i përgjithshëm i AAK’së, Blerim Kuqi, ka thënë se përgjegjës për mosmiratimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është vetëm Mustafa.

“I nderuari Kryeministër Mustafa, Marrëveshja e juaj për Demarkacionin, e ka dështuar Demarkacionin me Malin e Zi, dhe faji është i juaj dhe vetëm i juaj”, i ka shkruar Kuqi, Mustafës.

“Përpjekja e juaj që ta hedhni fajin dikund tjetër e të mos e pranoni dështimin në këtë temë, flet për dështimin dhe paranojën tuaj e jo për qëndrimin parimor e krejt pa interes të Opozitës, e cilia sipas jush paska dashur ta kallë Kosovën”, thuhet në letër, raporton Gazeta Express.

“Kjo temë kërkon qasje serioze e shtetërore, e cila po më duket është e pamundur që të bëhët, derisa ju të jeni kryeministër”, ka shkruar sekretari i përgjithshëm i AAK’së.

Kuqi e ka këshilluar Mustafën që ta lërë çështjen e demarkacionit, dhe të merret me një mur që po ndërtohet nga serbët në veri të Mitrovicës.

“Sot nuk është temë kufiri me Malin e Zi, pavarësisht përpjekjes suaj për ta rikthyer në orbitë, të cilin nuk e kanë votuar as deputetë të partisë suaj e lere më të tjerët, por një kufi tjetër, i cili po vendoset me mur në Mitrovicë. Nëse je Kryeministër merru me këtë temë dhe shembe atë mur, ose shko në shpi”, i ka shkruar Kuqi, Mustafës.

“Ne nuk e kemi ndërmend të heqim dorë kurrë nga asnjë milimetër e territorit të Kosovës, pavarësisht paranojës suaj të dështimit”, përfundon letra e Kuqit. /Express/