A pritet të ketë takim sot mes VV-së e LDK-së, flet Mustafa

Ndonëse Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i kanë tejkaluar ende mospajtimet rreth pozitës së Presidentit, përfaqësuesit e dy subjekteve që dolën të parat në zgjedhje nuk kanë paralajmëruar takim të radhës as të hënën.

Kanë mbetur vetëm edhe tri ditë para mbledhjes së Kuvendit të Kosovës, mirëpo LVV dhe LDK nuk pritet të takohen sot, raporton Insajderi.

Zëdhënësi dhe anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, mëngjesin e së hënës i tha Insajderit se ende nuk ka.

“Deri në këto momente nuk di që ka ndonjë takim. Ne sot e kemi 30 vjetorin e partisë, kështu që deri në mesditë e di që jemi atje ndërkaq pasdite nuk di që ka ndonjë takim”, ka deklaruar Mustafa. “Nëse caktohet [takimi i radhës, v.j] do të ju njoftojë”.

LDK do të mbajë sot me fillim nga ora 12:00 një manifestim për shënimin e 30 vjetorit të themelimit të partisë. Ky manifestim, sipas Besian Mustafës, pritet të zgjasë rreth një orë.

E, teksa në LDK nuk konfirmojnë se është caktuar takimi i radhës me përfaqësuesit e LVV-së, në subjektin fitues të zgjedhjeve nuk kanë komentuar asgjë lidhur me takimin e radhës.

Arlind Manxhuka nga Sekretariati për Media dhe Komunikim i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës lidhur me një takim potencial ndërmjet përfaqësuesve të subjekteve që po tentojnë të arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje tash e një muaj.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende kanë mospajtime të theksuara. Derisa Lidhja Demokratike e Kosovës ka ngulur këmbë në kërkesën për balancimin e pozitave, respektivisht për sigurimin e pozitës së presidentit, LVV-ja nuk ka lëvizur nga pozicioni i saj se ky post në asnjë mënyrë s’duhet të bëhet pjesë e marrëveshjes.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk ka hequr dorë nga kërkesa për postin e presidentit. Përkundrazi, zyrtarët e këtij subjekti po kërkojnë balancimin e pushteteve, rrjedhimisht marrjen e pozitës së shefit të shtetit.