Në vazhdën e bisedimeve për formimin e koalicionit qeverisës ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës nesër do të ketë një takim ndërmjet krerëve të dy partive.

Albin Kurti dhe Isa Mustafa nesër do të takohen ku do të diskutojnë për epilogun e mundshëm të arritjes së një marrëveshjeje për koalicion qeverisës.

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti është shprehur se posti i Presidentit nuk duhet të jetë në tavolinën e bisedimeve – njëlloj siç kanë deklaruar të gjithë zyrtarët e kësaj partie.

Por ndryshe nga ata, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kreu i kësaj partie, Isa Mustafa e kanë hedhur në tavolinën e diskutimeve edhe postin e Presidentit i cili do të lirohet tek pas një viti e gjysmë.

Para disa javësh, kreu i LDK-së, Isa Mustafa kishte deklaruar se pas rezultatit të zgjedhjeve me Albin Kurtin do të pijë vetëm kafe, por siç duket nesër do të takohen për t’ia kërkuar postin e Presidentit të vendit.

Kurti e Mustafa nuk kanë kujtime të mira nga e kaluara politike. Fillimisht, ata ishin së bashku në bllokun VLAN kur Partia Demokratike e Kosovës i fitoi zgjedhjet në vitin 2014 – atëherë kur LDK e kishte lëshuar bllokun për t’iu bashkuar PDK-së në qeveri – gjë që e bënte Isa Mustafën kryeministër.

Kjo, e kishte revoltuar pa masë Lëvizjen Vetëvendosje të cilët kishin hedhur akuza nga më të rëndat në drejtim të ish-kryeministrit të Kosovës dhe shefit të LDK-së, Isa Mustafa.

Mustafa ishte sulmuar nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje nëpër rrugë e në shtëpi por edhe me vezë nga deputetët e Vetëvendosjes që tani pritet t’i ketë kolegë në bashkëqeverisje.

I pari i LDK-së, në protestat e vitit 2015 ku Lëvizja Vetëvendosje kërkonte shkarkimin e Aleksandër Jabllanoviqit nga posti i ministrit, Albin Kurti e kishte quajtur Isa Mustafën, “Argat të Serbisë”.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, Isa Mustafa ishte shpallur poashtu njëri ndër krye-fajtorët për vdekjen e Astrit Deharit në burg, por pas zgjedhjeve të këtij viti ndryshoi gjithçka.

Fyerjet e sharjet u harruan, gjuajtja me vezë dhe sulmet nuk diskutoheshin më. “Argati i Serbisë”, për Vetëvendosjen u bë “Profa”!

E se sa shumë kanë ndryshuar gjërat do të shihet edhe më tutje – kur kreu i LDK-së, Isa Mustafa do ta kërkojë nga Lëvizja Vetëvendosje postin e Presidentit si çelësi për arritjen e marrëveshjes për koalicion.

A do ta bëjë president të Kosovës, Albin Kurti njeriun që dikur e kishte quajtur “Argat të Serbisë”, kjo mbetet të shihet, por në LDK nuk do të heqin dorë nga posti i presidentit dhe këtë marrëveshje e duan tani.

Në anën tjetër, analistët dhe njohësit e çështjeve politike për lajmi.net nuk e kanë parë si parimore diskutimin mbi postin e presidentit, por kanë shtuar se në këto kushte politike – kjo duhet të jetë pjesë e diskutimeve. /Lajmi.net/