Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka rikonfirmuar se mësimi do të fillojë me 1 shtator.

Nagavci mes tjerash ka thënë se mbyllja e shkollave ka sjellur pasoja të mëdha te fëmijët.

Përmes një postimi në Facebook, ministrja tha se zgjidhja e vetme në këtë situatë mbetet vaksinimi i mësimdhënësve dhe punëtorëve administrativ.

“Ashtu siç kemi paralajmëruar, mësimi pritet të fillojë më 1 shtator. Ne synojmë të mbajmë shkollat të hapura dhe mësimi të zhvillohet me orar të rregullt e pjesëmarrje fizike në institucione shkollore.

Kjo edhe për shkak se, të gjitha studimet tregojnë se pasojat tek fëmijët për shkak të mbylljes së shkollave kanë qenë të mëdha”, ka shkruar Nagavci.

Ajo shtoi se gjatë kësaj kohe duhet të aplikohen masat mbrojtëse me qëllim të parandalimit nga përhapja e virusit.

“Bazuar edhe në rekomandimet për edukimin në kohë të pandemisë COVID-19 të lansuara në Qershor të vitit 2021 nga Grupi Këshillues Teknik (themeluar nga Drejtori Regjional i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për regjionin e Evropës), objektiv parësor duhet të jetë të mbajturit e shkollave të hapura dhe funksionale, dhe strategjitë shoqëruese siç janë aplikimi i masave mbrojtëse nga infektimi. Në mënyrë që të mos na përsëritet situata e vitit të kaluar, zgjidhja e vetme është vaksinimi i mësimdhënësve dhe punonjësve administrative”, ka shkruar Nagavci.