Ministri në largim i Tregtisë dhe Industrisë që vjen nga Nisma Socialdemokrate, Endrit Shala nuk e përjashton mundësinë që të bëhen pjesë e qeverisë së re.

Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Shala tha se kjo çështje nuk është biseduar deri tash brenda partisë.

“Kjo është çështje që është në kompetencë të kryetarit Limaj për me bisedu pastaj me partnerët për një koalicion të mundshëm. Ne si kryesi e partisë ende nuk kemi vendos për këtë çështje, por kjo me vendim të Këshillit Kombëtar të Nismës është çështje që e diskuton dhe e përfaqëson kryetari i partisë. Deri më tash nuk ka ende asgjë”, ka thënë Shala.

Ai thekson se Nisma “ka qenë pjesë e Kuvendit që nga 6 tetorit kur janë përfunduar votimet e rregullta dhe me ligj”.

Me rinumërimin e 1,472 vendvotime dhe anulimin e 3 mijë votave të ardhura nga Serbia, sipas të gjitha gjasave koalicioni Nisma-AKR-PD do ta kalojë pragun dhe do të përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës me 6 deputetë.

Pas vendimit të PZAP-së, mundësia që partia e Fatmir Limajt të bëhet pjesë e qeverisë së re është shtuar në diskutimin publik.