A do ta përkrahin qytetarët protestën e radhës nga opozita?

Protesta e organizuar nga tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe NISMA më 18 prill për dallim nga protestat e Janarit kaloi e qetë dhe pa incidente.

Protesta e fundit e 18 prillit ishte më ndryshe nga protestat tjera të zakonshme, edhe në mënyrën se si ishte përgaditur programi protestues.

Pati spekulime të shumta se përkundër mobilizimit opozitar në një qëllim protestues, përkrahja nga qytetarët ishte e ulët dhe e zbehtë.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në përfundim të protestës së opozitës kosovare të zhvilluar më 18 prill, i la dy javë afat qeverisë për të plotësuar kërkesat e opozitës. “Qeveria e Republikës së Kosovës ka dy javë afat për t’i zbatuar kërkesat e kësaj proteste”, tha lideri Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një prononcim për Indeksonline, analisti politik, Artan Muhaxhiri thotë se opozita do të mundohet me çdo kusht që ta rrisë numrin e protestuesve. Sipas tij, nëse numri i protestuesve do të jetë i njëjte apo më i vogël se në protestat e 18 prillit, imazhi i opozitës do të zbehet. Muhaxhiri vë theksin edhe mbi datën e protestës, 2 majin. Sipas tij kjo datë ëshë goxha e papërshtatshme për protestë pasi që kosovarët tradicionalisht gjatë festës së 1 majit bëjnë plane familjare për pushim.

“Tri partitë opozitare duhet të angazhohen maksimalisht që në protestën e ardhshme ta rrisin dukshëm numrin e protestuesve. Nëse pjesëmarrja do të jetë si ajo e 18 prillit, kjo do të ndikojë tejet negativisht në imazhin e fuqisë opozitare, prandaj është e domosdoshme që të ketë masivitet pakrahasimisht më të madh të protestuesve në raport me herën e kaluar.
Kjo është një situatë delikate për udhëheqësit e opozitës, pasi në njërën anë nuk duket se Qeveria do t’i trajtojë me seriozitet kërkesat e saj, por në anën tjetër atyre u është imponuar mobilizimi i pakusht i qytetarëve, pasi përsëritja e protestës së 18 prillit do të ishte tejet problematike për imazhin e tyre. Pra, opozita nuk ka alternativë përveç protestës së suksesshme.
Edhe data e protestës së ardhshme, 2 maji, mund të jetë koincidencë kontraproduktive, pasi qytetarët tradicionalisht bëjnë plane familjare për pushimin e 1 majit, i cili sivjet e mundëson vikendin e zgjatur treditor”, thotë Muhaxhiri.

Ai thotë se është paradoksale që opozita me gjithë dallimet ideologjike, strukturore dhe parimore të unifikohet në një subjekt me qëllime dhe kërkesa të njëjta, e sidomos e vë theksin mbi Lëvizjen Vetëvendosje kur ajo bashkë-proteston me dy partitë tjera, NISMA-n dhe AAK për gjendjen e rënduar sociale në vend.

“Forca e koalicioneve politike varet nga përshtatshmëria ideologjike, parimore dhe strategjike e partive përbërëse. Në këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma e kanë të vështirë të imponohen si një subjekt i unifikuar opozitar meqenëse kanë dallime të konsiderueshme politike – si në mënyrën e themelimit, funksionimit dhe në orientimet vlerore, po ashtu edhe në sinqeritetin e raporteve me koalicionin qeverisës të PDK’së dhe LDK’së. Për shembull, është paradoksale situata kur përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje e kritikojnë dëmshmërinë e trashëgimisë së PDK’së dhe LDK’së për krizën e madhe sociale në Kosovë, pasi pjesë e kësaj trashëgime në faza të ndryshme kanë qenë edhe partnerët e tyre aktualë të AAK’së dhe Nismës”, vlerëson Muhaxhiri.

Sipas analistit Muhaxhiri, roli i Albin Kurtit në ballë të protestuesve ka impak të drejtpërdrejtë, sepse me atë identifikohet opozitarizmi kosovar, mirëpo këto protesta janë edhe pikë vlerësuese për lidershipin e kryetarit të tanishëm të Vetëvendosjes, Visar Ymerit.

“Për një kohë të gjatë Albin Kurti ka qenë personaliteti me të cilin është identifikuar opozitarizmi kosovar. Po ashtu, protestat popullore janë baza e profilit të tij politik, prandaj mungesa e Kurtit në protestën e kaluar sigurisht se ka pasur dhe do të ketë ndikim në protesta. Mirëpo, këto protesta janë edhe një test për lidershipin e kryetarit të ri të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymerit, i cili duhet të spikatet në rolin e mobilizuesit të qytetarëve për kauzat opozitare”, thotë Muhaxhiri për Indeksonline.

Në fund Muhaxhiri vlerëson se Qeveria nuk do të shprehë interesim që t’i plotësojë kërkesat e opozitës pasi që presioni nuk është i mjaftueshëm, sikur ai i protestave të Janarit me rastin e ish-ministrit Jabllanoviq.

“Numri i vogël i protestuesve në protestën e 18 prillit ka bërë që Qeveria të jetë më e lehtësuar në raport me protestat e radhës dhe ta presë më qetësisht 2 majin. Nuk është e besueshme që Qeveria do të merret me këto kërkesa, pasi presioni nuk është i tillë si në rastin e ish-ministrit Jabllanoviq”, përfundoi ai. /Indeksonline/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT