Në këto zgjedhje, partitë politike u kanë dhënë më shumë hapësirë grave më shamia të garojnë për deputete, raporton T7

Ishte viti 2014, kur për herë të parë një vend në Kuvendin e Kosovës e siguroi një grua me shami.

Ajo kishte fituar vota shumë më shumë seç duheshin për ta zënë një vend në Kuvend – 14 mijë e 232 vota.

Madje vota të shumta mori, edhe në komunat me besimtarë katolikë.

Por, sidoqoftë, sigurimi i një vendi në Kuvend nuk ishte i lehtë për letraren dhe albanologen.

Labinotë Demi Murtezi iu fut garës për deputete edhe në vitin 2017, por nuk rezultoi pozitiv.

Por, ajo fatin do ta provojë edhe në këto zgjedhje, si kandidate nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, raporton T7.

Ndryshe nga zgjedhjet e tjera, këtë herë ka më shumë kandidate me mbulesë.

Madje, disa nga partitë politike u dhanë hapësirë atyre, të futën edhe në 10shen e parë, të listës zgjedhore.

Ishte kreu i PDK’së, i cili i befasoi të gjithë kur, prezantoi profesoreshën e Fakultetit të Studimeve islame, si anëtare të kësaj partie.

E me rastin e publikimit të listës zgjedhore, në 10-shen e parë kjo parti i bëri një vend Besa Ismailit.

Por, për zgjedhjet e 6 tetorit, edhe një tjetër grua me shami i ka hyrë garës.

Bëhet fjalë për vajzën e myftiut Naim Tërnava, kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Refiqe Tërnava garoi edhe në zgjedhjet e kaluara, por nuk ia doli të sigurojë votat për një vend në Kuvend.

T7 ka tentuar të marrë një deklaratë nga kandidatja e PDK’së si dhe ajo e AKR’së, se çfarë presin në këto zgjedhje, mirëpo të njëjtat nuk kanë pranuar të flasin.

Ndërkohë, edhe nga partia e Gëzim Kelmendit, Fjala, janë tri gra me shami që garojnë për deputete: Sofije Bunjaku, Shkurte Haradinaj dhe Eneida Kelmendi.

Kjo e fundit, duke folur për T7, tha se kandidimin e gruas, pa marrë parasysh dukjen e saj, e sheh si vetëdijesim të shoqërisë ndaj gjinisë femërore.

Ndërkaq, teologu Drilon Gashi, pjesëmarrjen e grave me shami në Kuvend e sheh të mirëseardhur këtë gjë, derisa shton se  mund të shihet pozitive te fetarët që në emër të fesë mundohen ta shtypin dhe diskriminojnë gruan.

Ndërsa, nëse janë kandiduar vetëm për shkak të shamisë, primatit apo për ta shfrytëzuar rastin e marrjes së votave, e jo përgatitjeve të tyre intelektuale profesionale, atëherë sipas Gashit, ato nuk duhet të votohen.