Ramush Haradinaj

Rreth gjysmë milioni euro ka harxhuar në dreka kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj gjatë mandatit të tij si kryeministër.

Në pasqyrat e harxhimeve të Zyrës së kryeministrit, që i janë prezantuar gazetës “Koha Ditore”, thuhet se 506 mijë e 779 euro është shuma që kreu në dorëheqje i ekzekutivit Ramush Haradinaj, i ka harxhuar vetëm për dreka, raporton KTV.

Nga këto shifra, i bie që në çdo ditë pune Haradinaj t’i ketë harxhuar rreth 1 mijë euro.

Por, në dokumentet e paraqitura për sqarim nga Zyra e kryeministrit thuhet se vlera për dreka zyrtare përfshin vlerën që është shpenzuar nga të gjithë anëtarët e kabinetit të Haradinajt, numri i të cilëve arrin në 41 zyrtarë.

Megjithatë, Haradinaj në “Interaktiv” nuk ka pranuar t’i ketë harxhuar këto para në dreka.

Një faturë për drekë, të cilën e ka siguruar gazeta, kap vlerën e 262.88 eurove. Kjo faturë është paguar me kredit kartelë të kryeministrit Haradinaj dhe aty përfshihen edhe pije alkoolike dhe meze.

Por, Haradinaj përsëri ka mohuar të ketë paguar për këto me para të shtetit.

Një tjetër faturë në restorantin “Ali’s Grill” në Vjenë, tregon se Haradinaj për një drekë kishte paguar 132 euro. Derisa në një pastiçeri pagoi 47 euro.

Një faturë tjetër tregon se Haradinaj ka paguar rreth 300 euro për një hamburger, mish pule e pije.

Gjatë dy vjetëve të mandatit sa kishte Haradinaj si kryeministër, kishte paguar rreth 25 mijë euro për bileta të avionit, derisa mijëra euro të tjera ishin shpenzuar në akomodime.

Vetëm në një rast, Haradinaj kishte shpenzuar më shumë se 1.200 euro për akomodim dhe ushqim.

Qasja e pakufizuar në financat publike, ia ka mundësuar kryeministrit në dorëheqje që nga kredit kartela e tij t’i harxhojë rreth 14 mijë euro, derisa më shumë se 5 mijë euro i ka harxhuar vetëm në telefonata.