5 % ngritje për komunat në ofrimin e shërbimeve

Në vitin 2014 cilësia e shërbimeve të komunave për qytetarët është rritur vetëm për 5 për qind, në raport me vitin 2013.
Megjithatë, performancë me të ulët të ofrimit të shërbimeve nga komunat është evidentuar në fushën e kulturës, rinisë, sportit, parqeve dhe shesheve, ndriçimit publik si dhe deponimit të mbeturinave.
Këto të dhëna janë bërë të ditura në publikimin e raportit vjetor të funksionimit të komunave për vitin 2014.
Udhëheqësi i departamentit për Performancë dhe Transparencë Avni Sahiti, gjatë prezantimit të raportit, tha se komunat kanë shënuar ngritje për 5 për qind në ofrimin e shërbimeve. Megjithatë, sipas tij, kanë evidentuar edhe shkelje, ku me theksuarat janë tek dhënia e pronës në shfrytëzim.
Sahiti: Në vitin 2014 komunat rritën cilësinë e shërbimeve
“Llojet e shkeljeve të evidentuara në grafikonin që kemi prezantuar janë të theksuara tek dhënia e pronës në shfrytëzim me 16 raste, miratimin dhe ndryshimin e statuteve të komunës me 8 raste, zgjedhjen e kryesuesve për komunitete me 6 raste… Edhe këtë vit kemi 15 fusha për të cilat është matur cilësia e shërbimeve. Këtu mund të shihni 15 fushat dhe grafikonin. Ajo çka vlen të theksohet është se rritja e cilësisë së shërbimeve për vitin 2014 në krahasim me vitin 2013 është rritur për 5 për qind, mesataren e të gjitha shërbimeve. Për vitin 2014 e kemi 55 për qind, derisa prinë në shërbimet e administratës ku janë 86 për qind”, tha Sahiti.
Ndërsa, zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj tha se ka pasur performancë të ulët në disa fusha në cilësinë e ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve.
Gecaj tha se gjatë vitit 2014 bazuar në sistemin e menaxhimit të performancës të zhvilluar në bashkëpunim me komunat është bërë vlerësimi i performancës së shërbimeve të ofruara në fushën e shërbimeve administrative, shërbimet sociale, kulturore, rinore, sportive, emergjencat, planifikimin urban, rrugët dhe trotuaret publike, parkingjet publike, ndriçimin publik, furnizimin me ujë, menaxhimin e mbeturinave, kanalizimet dhe deponitë.
Gecaj: Komunat në disa fusha treguan performancë të ultë në ofrimin e shërbimeve
“Bazuar në raportet monitoruese është vërejtur se në disa fusha ka pasur performancë me të ulët të ofrimit të shërbimeve veçanërisht në fushën e kulturës, rinisë, sportit, parqeve dhe shesheve, ndriçimit publik si dhe deponimit të mbeturinave. Me qëllim të adresimit të këtyre vështirësive, në bashkëpunim me komunat, institucionet tjera dhe komunitetin e donatorëve jemi duke punuar ngushtë në rishikimin e indikatorëve, shtimin e fushave si dhe avancimin e mëtutjeshëm të programit për të lehtësuar ofrimin e shërbimeve dhe matjen e performancës së tyre”, tha Gecaj.
Raporti i publikuar nga MAPL-ja ka dhënë edhe 24 rekomandime dhe 14 konkluzione, të cilat do t’i shkojnë në tri adresa. Sekretari i përgjithshëm i MAPL-së Besnik Osmani tha se ky është raport i përgjithshëm, i cili për herë të parë raporti përfshin edhe katër komunat veriore të Kosovës.
Osmani: Rekomandimet e raportit shkojnë në tri adresa
“Raporti ka 24 rekomandime dhe 14 konkluzione. Këto rekomandime shkojnë në tri adresa. Adresa e parë janë MAPL-ja dhe është Qeveria, adrese e dytë janë kuvendet komunale, sepse shumë vendime merren në kuvendet komunale dhe ata janë përgjegjës dhe një numër i caktuar i konkluzioneve dhe rekomandimeve është për kryetaret e komunave. Ne shpresojmë se ky raport në rend të parë do të jetë në shërbim të kryetareve. Nuk është tendenca për të nxjerr komunën me të mirë apo me të keqe, por për të identifikua situatën reale të komunës dhe për të ndihmuar në procesin vendimmarrës”, tha Osmani.
Sipas këtij raporti, gjatë vitit 2014 komunat e Kosovës kanë mbajtur gjithsej 472 mbledhje dhe kanë miratuar 2 mijë e 30 akte nënligjore. Gjatë miratimit të akteve MAPL-ja ka vlerësuar se 52 akte të komunave nuk kanë qenë në pajtim të plotë me ligjin dhe ka kërkuar nga organet e këtyre komunave për harmonizimin e tyre. Ndërsa, organet komunale kanë harmonizuar akte në pajtim me kërkesat e MAPL-së në 35 raste.
Po ashtu në raport theksohet se mbetet sfiduese publikimi i akteve në ëeb faqe në gjuhën zyrtare nëpër komuna.
Raporti është i ndarë në katër pjesë dhe përfshinë monitorimin e funksionimit të organeve të Komunave në përmbushjen e mandatit ligjor, vlerësimi i komunave në ofrimin e shërbimeve të qytetarëve, obligimet e komunave në procesin evropian dhe shpenzimet e komunave.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT