Janë bërë 40 ditë nga koha kur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është dashur ta nënshkruajë kontratën për sigurimin e vaksinave me kompaninë Pfizer.

Afatin e fundit për vënien e nënshkrimit, nënshkrim ky që do të siguronte gjysmë milion vaksina për Kosovë, Vitia e kishte më 15 prill.

Që nga atëherë, dhe deri sot, ministri i Shëndetësisë, s’e ka dhënë asnjë detaj se kur pritet të sigurohen vaksinat nga kompania amerikane, ose edhe në cilën fazë të negociatave janë.

Ndonëse vaksinat Pfizer nuk dihet se kur do të vijnë, diçka që dihet me siguri është se për 40 ditë kanë vdekur 216 veta, si pasojë e infektimit me Covid-19.

Insajderi ka raportuar më 16 prill se si Arben Vitia nuk e kishte nënshkruar kontratën me Pfizer dhe BioNtech, duke rrezikuar kështu jetën e mijëra kosovarëve. Është publikuar edhe dosja e komunikimeve dhe kontratën të cilat zbulojnë neglizhencën e shtetit për të finalizuat marrëveshjen.

Kompania Pfizer dhe BioNtech kishte kërkuar fillimisht që të ndryshohet Udhëzimi Administrativ, sipas të cilit kjo kompani do të duhej ta kishte përfaqësuesin e saj në Kosovë.

Kërkesa e këtyre kompanive, specifikohen tek kushtet për lidhjen e kontratës:

“(b) parashikojnë marrjen e autorizimit të marketingut përmes një mekanizmi të përshtatshëm rregullator nga Agjencia Mjekësore e Kosovës që lejon që Vaksina të vendoset në treg në Kosovë”.

Me udhëzimin e ri që kishte nënshkruar ish-ministri Armend Zemaj, kompanitë në fjalë kanë pasur të drejtë ligjërisht të aplikojnë pa person të autorizuar në Kosovë.

Neni 15 i udhëzimit administrativ të ri, ia mundëson regjistrimin e vaksinave sipas kërkesave të Pfizer dhe BioNtech. Por ky udhëzim, që do t’i hapte rrugë nënshkrimit të kontratës, nuk është publikuar fare në gazetën zyrtare të Kosovës.

Udhëzimi Administrativ “Autorizimi për marketing për produkte medicinale”. Ligjërisht ky udhëzim do të duhej të hyjë në fuqi shtatë ditë pas nënshkrimit nga ish ministri, Zemaj. /insajderi.org