2 milionë euro, nëse arrihen grupet e Europa League!

Ja pse korçarët po këmbëngulin për të shkuar larg në Europë…! Shifrat që përfitojnë kampionët në rast kalimi deri në fazën e grupeve jane marramendese

 

Skënderbeu këtë verë europiane kërkon të shkojë sa më larg, madje ka si objektiv madhor grupet e Europa League. Dhe të gjithë mund të pyesin: Pse kjo këmbëngulje e presidentit Ardjan Takaj për të shkuar kaq larg, ndërkohë që përgjigjet janë dy. Së pari, bëhet fjalë për historinë, pasi askush më parë në Shqipëri nuk ka shkuar kaq larg në Europë. Skënderbeu ishte shumë pranë dy sezone më parë, kur u eliminua vetëm nga një penallti e humbur ndaj Chornomorets. Së dyti dhe shumë e rëndësishme është vlera monetare, që përfiton ekipi, nëse arrin në grupe. Po sa përfiton Skënderbeu konkretisht, nëse kalon në grupet e Europa League? Duke bërë llogaritë i bie që në arkën e klubit kampion të shkojnë deri në 2 milionë euro, kurse nëse shkon në grupet e Champions League shifra i kalon 3 milionë euro. Shifra vërtet të mëdha, gjithmonë nëse arrihen grupet dhe këtu përjashtohen bonuset e ndeshjeve të grupeve të të dy eventeve.

EUROPA LEAGUE – Për momentin skuadra korçare ka siguruar 100 mijë euro si shpërblim nga FSHF-ja për ekipin kampion. 150 mijë euro të tjera skuadra korçare i siguron nga pjesëmarrja në turin e dytë paraeliminator të Champions League. Nëse kalon në turin e tretë, shpërblehet me 175 mijë euro. Nëse Skënderbeu nuk e kalon turin e tretë, kalon automatikisht në “play-off”-in e Europa League, ku për të dyja ndeshjet luhen 250 mijë euro. Pra, në total deri në këtë moment shuma e përfituar nga Skënderbeu është 775 mijë euro, aq sa ka marrë dy vite më parë. Nëse Skënderbeu arrin në grupet e Europa League, shpërblimi është 1.3 milionë, kështu që në total, nëse siguron grupet, përfito më shumë se 2 milionë euro, një shifër vërtet e kënaqshme. Duhet thënë se këtu duhen shtuar fitoret, e drejta televizive dhe bonuese të tjera, që e rrisin shumën në fjalë. Ja pse drejtuesit e Skënderbeut, kryesisht presidenti Ardjan Takaj, po përpiqen shumë që ta fuqizojnë skuadrën, në mënyrë që këtë verë të mos e humbasin shansin e madh.

CHAMPIONS LEAGUE – Këtu gjithçka ndryshon. Të shkosh në grupet e Champions League, është diçka shumë e vështirë, por jo e pamundur. Pjesëmarrja në grupet e Championsit si fillim kap një shifër më të madhe se 3 milion euro, ndërkohë që bonuset e tjera janë në shifra më të larta. Janë shifra marramendëse për një skuadër shqiptare. Skënderbeu dhe Takaj kanë si synim që këtë verë të bëjnë histori dhe sigurisht, nëse e bëjnë realitet, arka do të mbushej shumë dhe do të ishte një garanci e madhe për të ardhmen. Europa për Skënderbeun është në prag dhe milionat e presin, por të shohim sa do t’ia arrijë qëllimit.

 

Ja sa përfiton Skënderbeu!

100.000 euro (titulli kampion)

150.000 euro (pjesëmarrja në Champions, në turin e dytë)

100.000 euro (kalimi në turin e tretë të Championsit)

175.000 euro (dy ndeshjet e turit të tretë)

250.000 euro (eliminimi nga Champions dhe kalimi në Europa League)

1.3 milionë euro (futja në grupet e Europa League).

2 milion euro në total, nëse merr pjesë në grupe, pa llogaritur  bonuset e tjera.

(PS: Nëse skuadra kalon në grupet e Champions League shifra që fiton vetëm si pjesëmarrje është 3 milion euro, përveç bonuseve)/Sportexpress/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT