10 vajza nga Kosova përjetojnë tmerrin e vërtetë – sulmohen me armë në “Rrugën e Kombit”

Udhëtimet e shqiptarëve të Kosovës në Shqipëri janë të motivuara nga lidhjet vëllazërore dhe historike që ekzistojnë në mes popullatës këndej dhe andej kufirit. Por, udhëtimi i 15 nëntorit, i dhjetë vajzave nga Kosova në drejtim të Shqipërisë, ka një histori të frikshme, që ka mundur të ketë pasoja fatale.

Njëra nga vajzat (emër i njohur për redaksinë), që ka qenë pjesë e udhëtimit, rrëfen për peripecitë dhe frikën që e përjetuan brenda territorit shqiptar, pasi me shoqet kishte vendosur të kalonin vikendin në Shqipëri, për të festuar një moment të rëndësishëm në jetën e njërës shoqe.

Ajo rrëfen për neglizhencën e Policisë shqiptare, duke përshkruar në detaje udhëtimin e tyre – një rrëfim tmerri psikik që mund të bëhet pjesë e skenarit të ndonjë filmi.

Vajzat në njërën veturë sulmohen nga një motoçiklist i armatosur, i cili i ndjek gjatë rrugës. Ato bëjnë telefonata të shumta për të denoncuar rastin, ndërsa synim të vetëm kishin arritjen në kufirin me Kosovën, apo që së paku rrugës ta shohin një veturë me targa të vendit nga i cili vinin.

Gjithçka që lidhej me Kosovën, në këtë situatë frike, ishte simbol i sigurisë për to.

“Nuk them se Kosova është në gjendje shumë të mirë. Aspak! Edhe ne kemi hallet dhe problemet tona, mirëpo probleme të tilla kemi më pak, për të mos thënë aspak në krahasim me ato që ndodhin në rrugët e Shqipërisë”, ka thënë bashkëbiseduesja, raporton Kosovapress.

Vajzat bëjnë telefonata të shumta, por kudo hasën në neglizhencë. Për këtë rast paralajmërohen edhe vajzat në veturën tjetër, që të mos ndalen askund rrugës. Por, vetura e dytë ndalohet nga policët dhe dërgohet Stacionin policor të Lezhës. Vetura e parë refuzon këtë kërkesë.

Duke u bazuar në shumë lajme ditore në Shqipëri se kriminelët shpesh kanë lidhje me organet e rendit, vajzat në këtë veturë shpresonin se me të arritur në Kosovë do të mund të ndihmonin më shumë. Por, kërkesa e tyre, drejtuar policëve të Lezhës, ishte që vetura e ndaluar të përcillet deri në kufi, sepse ishte natë dhe rrugët nuk ishin të sigurta.

Fatkeqësisht, kjo kërkesë hasi në vesh të shurdhër.

Terrori përfundon në ora 4:30 të mëngjesit, kur veturat dhe shoqet bëhen bashkë në kufirin Kosovë-Shqipëri. Ato janë të lumtura që mbetën gjallë nga sulmuesi e edhe që nuk e humbën kontrollin në ngasje duke shmangur ndonjë aksident.

Por, në këtë moment të lumtur, vajzat përjetojnë tronditje tjetër, me arsyetimin banal të policëve nga Kukësi për sulmuesin e armatosur.

“Njeriu ka hallet e veta, ka punuar gjatë tërë ditës, ka pirë nja dy gota alkool dhe në fund të fundit fiton alkooli! Këto gjëra ndodhin në çdo vend. Nuk keni pse e bëni kaq të madhe këtë punë. Pse vajtoni”?!

“Ne e dimë që nuk jemi rasti i parë, mirëpo shpresojmë shumë që do të jemi i fundit. Për më tepër, shpresojmë që rasti i denoncuar nga ana jonë nuk do të mbetet vetëm një tjetër rast i vendosur në raftet e stacionit policor të Lezhës, por do të tentohet të zbardhet ky rast dhe të marrë dënimin e merituar personi i cili na sulmoi”, thotë bashkëbiseduesja. “Një pjesë e madhe e të ardhurave në Shqipëri sigurohen nga kosovarë. E çfarë po marrim në këmbim: vjedhje dhe terror që na shkaktohet në ato rrugë”!

Duke u bazuar në këtë histori, që këto vajza i ka bërë të mos marrin më rrugën për Shqipëri, bashkëbisedueses i duket temë ironike që në mediat shqiptare temë qendrore e diskutimit është rreziku që Shqipërisë i kanoset nga ISIS-i.

“Me keqardhje më duhet të them se rreziku që i kanoset Shqipërisë jeni vet ju, qytetarët e Shqipërisë”, ka thënë ajo.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT