Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se Kosova është e gatshme për të arritur marrëveshje historike paqësore me Serbinë, njohje reciproke dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike, shkruan GazetaBlic

.Ai në një postim në Facebook ka shkruar se tani u takon institucioneve të Kosovës që të tregojnë mençuri dhe maturi në ndërtimin e unitetit dhe koordinimit me partnerët tanë strategjikë dhe të përkushtohemi që ta përmbyllim me sukses këtë proces.

Shkrimi i plotë:

Udhëheqja e proceseve të mëdha politike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë gjithmonë përcaktuese për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj.

Si President i Republikës së Kosovës e mirëpres ftesën për ta rifilluar procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, si dhe të dërguarit special të tij ambasadorit Richard Grenell.

Kosova është e gatshme për të arritur marrëveshje historike paqësore me Serbinë, njohje reciproke dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike.

Tani i takon institucioneve të Republikës së Kosovës që të tregojnë mençuri dhe maturi në ndërtimin e unitetit dhe koordinimit me partnerët tanë strategjikë dhe të përkushtohemi që ta përmbyllim me sukses këtë proces. HTH