​Sveçla viziton veriun, apelon qytetarët t’iu përmbahen masave kundër COVID-19

Ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla ka vizituar komunën e Mitrovicës, ku u prit nga kryetari Agim Bahtiri.

Ata me këtë rast kanë biseduar lidhur me situatën e krijuar pas përhapjes së virusit COVID-19 në veri të Mitrovicës, me ç’ rast para dy ditësh Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim për vendosjen në karantinë të Komunës veriore dhe Zveçanit, si pasojë e rritjes së numrit të rasteve në atë pjesë.

Pas këtij takimi, Sveçla së bashku me kryetarin Bahtiri kanë vizituar Lagjen e Boshnjakëve, ku kanë parë për së afërmi situatën në të cilën gjenden banorët.

Gjithashtu në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Kosovës janë shpërndarë mbi 400 pako ushqimore dhe higjienike për secilën familje në nevojë që jetojnë në fshatrat dhe lagjet e veriut, ku Komuna e Mitrovicës ka siguruar 305 pako, ndërsa pakot të tjerat nga Kryqi i Kuq i Kosovës.

Në fund të vizitës, Sveçla dhe Bahtiri kërkuan nga të gjithë qytetarët që t’iu përmbahen masave të marra nga institucionet shëndetësore, për të qëndruar të qetë në shtëpitë e tyre, pasi institucionet janë duke punuar maksimalisht që qytetarët të kenë ndihmën e nevojshme dhe të mos iu mungojë asgjë.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT