Këshilli Shtetëror i Cilësisë ende nuk e ka përmbyllur procesin e akreditimit. Kjo është arsyeja që ende nuk është hapur konkursi për pranimin e studentëve të rinj në universitete, proces ky që në skenarin më të keq mund të fillojë në fund të muajit gusht.

Rektori i UP-së, Naser Sahiti, kërkoi nga KSHC të punojë me dinamikë të shtuar, ndërsa kryetarja e KSHC, Hasnije Ilazi kërkoi mirëkuptim duke shprehur besimin se procesi mund të përfundojë në fund të këtij muaji.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti, thotë se pa përfundimin e procesit të akreditimit nuk do të mund të shpallin konkursin për pranimin e studentëve të rinj.

Ai thotë se në bazë të dinamikës, konkursi mund të shpallet më së largu deri në fund të muajit gusht, derisa thekson se një vonesë e tillë do të ndikojë edhe në procedurat e më pastajme.

Në rast se akreditohen të gjitha programet e Universitetit të Prishtinës, atëherë Sahiti thotë se kanë paraparë që në vitin akademik 2021/2022 të regjistrojnë 6 mijë e 700 studentë.

“Në momentin që i kemi vendimet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, kuotat përkatëse të dërguara në Ministrinë e Arsimit dhe pas aprovimit të kuotave nga Ministria e Arsimit menjëherë të shkojmë me shpalljen e konkurseve publike për pranim të studentëve të rinj. Kjo nënkupton që në rastin më të mirë ndoshta në fund të korrikut, por prapë po e them nuk është çështje që varet drejtpërdrejtë nga ne, është dinamikë e institucioneve të tjera. Sido që të jetë, nëse jo më herët, atëherë shpresojmë që më së largu në fund të gushtit çdo gjë të qartësohet edhe të bëjmë hapjen e konkursit publik për studentët e rinj”, thotë ai.

Sahiti apelon që Këshilli Shtetëror i Cilësisë të ketë parasysh pozitën në të cilën ndodhen universitetet dhe të trajtojë me prioritet çështjen e akreditimit.

“Na mbetet të apelojmë që Këshilli Shtetëror i Cilësisë vërtetë të ketë parasysh pozitën në të cilën ndodhemi, mos të detyrohemi me pas vonesa të cilat i kishim vitin e kaluar për shkak të pandemisë. Vitin e kaluar të gjithë e dimë situatën në të cilën kemi qenë dhe disi ka mundur të arsyetohet, por këtë vit vërtetë duhet të punojë me dinamikë të shtuar Këshilli Shtetëror i Cilësisë në mënyrë që t’i evitojmë vonesat në fillimin e vitit akademik”, thotë ai.

Vonesën në përfundimin e procesit të akreditimit e ka arsyetuar kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Hasnije Ilazi, e cila thotë se beson që deri në fund të këtij muaji do të përfundojë i gjithë procesi i vlerësimit të aplikacioneve.

Ajo thotë se tashmë më pak se një muaj kanë marrë detyrat në Këshillin Shtetëror të Cilësisë dhe kanë qenë 239 aplikacione në pritje, sipas saj, trajtimi i të gjitha këtyre aplikacioneve për një periudhë kaq të shkurtër kohore ka qenë i pamundur.

“Vërtetë e kuptoj shumë mirë situatën në të cilën janë tash universitetet se është përfunduar provimi i maturës, janë studentët e rinj ose kandidatët e rinj të cilët presin të përfshihen në këtë procedurën e ardhjes në universitete dhe që çdo vonesë shkon në disfavor të institucioneve. Mirëpo, duhet të kuptojmë në anën tjetër që janë edhe kufizimet ligjore dhe kufizimet ashtu siç thash të natyrës praktike të cilat pamundësojnë që të marrim vendimet më shpejtë. Shpresojmë dhe bëjmë përpjekje që të gjitha programet të kalojnë nëpër këtë proces të vlerësimit dhe të kemi vendime deri në fund të korrikut, që ende është një kohë optimale që të shpallet konkursi. Besoj që një datë deri në fund të këtij muaji do të kemi që mund t’i kemi edhe ndërkombëtarët dhe të kalojnë nëpër këto procedura të cilat kanë mbetur peng dhe të cilat janë jashtëzakonisht urgjente ne e kuptojmë, por nuk mundemi megjithatë me sy të mbyllur të kalojmë përkundër asaj urgjence”, thotë ajo.

Ajo u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve arsimore publike e private, që të mos hapin konkurset për pranimin e studentëve të rinj pa u marrë vendim nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë për akreditimin apo jo të programeve studimore.

Anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë janë votuar nga Kuvendi i Kosovës me 17 qershor, ndërsa mbledhja konstituive është mbajtur 28 qershor.