164 studentë të Komunës së Skenderajt, sot kanë nënshkruar kontratat e bursës komunale në vlerë 300 euro, kurse ditët në vijim do të ndahen edhe një numër shtesë i bursave nga përkrahja e donatorëve.

Me këtë rast para studentëve, i pari i komunës, Bekim Jashari, theksoi që si qeverisje komunale i është dhënë prioritet përkrahjes së rinisë, duke krijuar kushte më të mira të arsimit, zhvillimit të aktiviteteve sportive, kulturore e rekreative si dhe duke i mbështetur të rinjtë në jetësimin e ideve të tyre kreative përmes përkrahjes me grante për start-up dhe zgjerim të bizneseve.

Jashari bëri të ditur se nga viti që vjen falë bashkëpunimit me Bankën Botërore dhe Ministrinë e Pushtetit Lokal, do të ndahen 250,000.00 dollarë për të rinjtë e komunës sonë, në financimin e iniciativave, ideve dhe biznes planeve të tyre.

“Përmes këtij projekti shumë të rëndësishëm për të ardhmen e të rinjve tonë do të krijojmë vende të reja të punës dhe përgatitje të të rinjve me trajnime të ndryshme”, tha Jashari.

Kryetari Jashari tutje tha se pavarësisht sfidave që kemi tani si rezultat i pandemisë, përkrahja për të rijnë nuk do të mungojë asnjëherë, me ç`rast edhe bëri thirrje që të vazhdojnë rrugën e tyre të ngritjes profesionale.

Jashari në fund porositi të rinjtë që të tregojmë patriotizëm duke respektuar ligjin, duke u kujdesur për shtetin tonë, për shkollën, për sallat sportive, për hapësirat publike dhe mjedisin në përgjithësi.